 Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është shfaqur dje në krah të kryetarit të prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch dhe perfaqesuesve te ALBSTUDENT. Vetëm pak kohë më parë prezenca e OSBE-së në Tiranë, nëpërmjet një letre drejtuar kryetares së Kuvendit, u shpreh me nota negative ndaj faktit se përfaqësuesit ndërkombëtarë ishin nxjerrë jashtë sallës së Kuvendit në momentin kur raportonte prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama. Në letrën drejtuar Topallit shprehej hapur dhe pa rezerva pakënaqësia e OSBE-së ndaj mungesës së transparencës publike të institucionit të Kuvendit. Ndërkohë që gjatë ditës së djeshme, gjatë prezantimit të një projekti të përbashkët, kryetarja e Kuvendit duket se ka bërë përpjekje për të shkrirë akujt me OSBE-në, duke u shfaqur me kreun e kësaj përfaqësie. Madje gjatë fjalës së mbajtur ajo vuri theksin se një ndër arritjet e parlamentarizmit gjatë kësaj periudhe është pikërisht rritja e transparencës.
Takimi Gjatë ditës së djeshme Topalli i dorëzoi diplomën “Master” njërit prej studentëve shqiptarë që ka përfunduar studimet në College of Europe në Bruge të Belgjikës. Kryetarja Topalli është një nga iniciatoret e kësaj nisme, mbështetur nga projekti i OSBE-së, “Për mbështetjen e Parlamentit Shqiptar”. Në këtë takim me praninë edhe të ambasadorit të OSBE-së, Robert Bosch, morën pjesë përfaqësues të rrjetit Albstudenti, që përfshin rreth 3 mijë studentë që studiojnë jashtë vendit. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë ceremoni, Topalli, ndërsa shprehu vlerësimet për të rinjtë, i njohu ata me disa nga arritjet e Kuvendit të Shqipërisë gjatë kësaj periudhe. “Të gjitha këto iniciativa që janë ndërmarrë gjatë kësaj periudhe kanë bërë që Parlamenti dhe parlamentarizmi të ridimensionohen në të gjitha fushat, duke filluar nga ajo infrastrukturore dhe duke përfunduar në vendimmarrjet në seancat plenare. Asnjëherë më parë Kuvendi i Shqipërisë nuk ka qenë kaq transparent sa ç’është sot dhe kjo më bën të ndihem mirë”, - tha kryetarja Topalli. Ndërsa ambasadori i OSBE-së, Bosch, ka vlerësuar nismën e ndërmarrë nga Topalli duke e cilësuar atë fantastike, ndërkohë që ka bërë të ditur se OSBE-ja do të vazhdojë të ndihmojë në këtë drejtim. “Jam shumë i kënaqur që jam me juve për të celebruar përmbushjen e suksesshme të nismës suaj për të çuar më tej edukimin, e profesionistëve të rinj në stafin tuaj. Prezenca e OSBE-së është e lumtur që është në gjendje të sigurojë mundësi për stafin tuaj, për të kompletuar studimet në Kolegjin Europian të Bruge-s, i cili njihet akademikisht në të gjithë botën për përgatitjen e profesionistëve të rinj në çështjet që kanë të bëjnë me BE-në. ‘College of Europe’ ka përzgjedhur dy studentë të tjerë shqiptarë, të cilët do të vazhdojnë studimet gjatë këtij viti akademik në këtë universitet, përmes projektit të Kuvendit të Shqipërisë dhe OSBE-së”, - është shprehur Bosch.
Vlerësimet Duke iu drejtuar të rinjve, kryetarja e Kuvendit ka vlerësuar disa nga arritjet e vendit, siç është anëtarësimi në NATO. Ajo gjithashtu ka theksuar se vendi po bën të gjitha përpjekjet për të merituar anëtarësimin me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut. “Shqipëria ka ndryshuar për një kohë kaq të shkurtër, sepse jemi një vend me energji të pashtershme dhe me ambicie të mëdha pozitive, jemi një vend që falë reformave ekonomike dhe politike, është në fazat e fundit të integrimit në BE. Kemi bërë të mundur që Shqipëria të marrë ftesën për në NATO, kjo është arritja më e jashtëzakonshme dhe jemi duke punuar për të bërë të mundur që të jemi anëtarë të plotë të NATO-s”, - është shprehur Topalli. Ajo gjithashtu ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm programin “Brain Gain” të qeverisë, një iniciativë që bën të mundur kthimin në Shqipëri dhe përfshirjen në administratën publike dhe sektorë të tjerë të të rinjve që kanë kryer studimet në universitete jashtë vendit. 21 Gusht 2008
Gazeta Albania
|